Fotografoi votën dhe e postoi në Instagram, patronazhisti arrestohet pas denoncimit në JOQ

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.05.2025, 14:13

Renato Feri, patronazhisti i cili postoi në profilin e tij në Instagram një fotografi të votës së tij për Partinë Socialiste dhe ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, është arrestuar nga Policia e Tiranës.

Feri akuzohet për shkeljen e fshehtësisë së votimit, një vepër penale që ndalon publikimin e mënyrës se si një person ka votuar, me qëllim mbrojtjen e integritetit dhe sekretit të procesit zgjedhor.

Feri është djali i Arian Ferit, shefit të sektorit të burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe një emër i njohur për policinë pasi ka qenë vetë polic i qarkullimit rrugor.

Por në 2022 u kap duke lëvizur me makinë me drogë dhe shfaqi sjellje agresive ndaj kolegëve që e arrestuan.

Njoftimi i policisë Tiranë:

Fotografoi fletën e votimit dhe më pas e publikoi atë në rrjete sociale, arrestohet 34-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas shfaqjes së një postimi në një portal ku një shtetas kishte publikuar fotografimin e fletës së votimit, organizuan punën, identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin R. F., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votimit”.

Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe procedurale ka rezultuar se ky shtetas ditën e sotme, ka fotografuar fletën e votimit, dhe më pas e ka publikuar në rrjetet sociale.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit