Një përplasje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në qendrën e votimit nr. 1122, e vendosur në Njësinë Administrative Maqellarë, Dibër. Ngjarja ka përfshirë kandidatin e Partisë Socialiste, Danjel Gjura, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht shtetasin Florian Lazri, punonjës i Ujësjellësit.
Sipas burimeve në terren, sherri fillimisht ka nisur si një debat verbal mes palëve, por më pas ka degraduar në përplasje fizike, ku z. Gjura thuhet se ka goditur me grusht Lazrin. Përplasja ndodhi brenda ambienteve të qendrës së votimit dhe është zhvilluar në sy të qytetarëve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor.
Mësohet se debati ka pasur lidhje me çështje që lidhen me procesin zgjedhor dhe ndikimin mbi votuesit, ndërsa burime jozyrtare përmendin edhe tensione të brendshme brenda strukturave lokale të PS-së, kryesisht për menaxhimin e listave të mbështetësve.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes për të marrë dëshmitë dhe për të nisur hetimet lidhur me incidentin. Deri më tani, Partia Socialiste nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar për ngjarjen.
Ky incident ndodh në një atmosferë të tensionuar politike në qarkun e Dibrës, ku përplasjet dhe raportimet për presion ndaj votuesve janë shtuar ndjeshëm në prag të zgjedhjeve.