Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat mbi pjesëmarrjen në procesin zgjedhor. Deri në orën 11:00 të paradites së sotme, në votime kanë marrë pjesë 16.5% e qytetarëve me të drejtë vote.
Ky nivel përfaqëson një rënie të ndjeshme krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, ku në të njëjtën orë pjesëmarrja kishte arritur 20.8%.
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat ka bërë të ditur se procesi i votimit ka patur disa probleme në orët e para të hapjes së qendrave të votimit.
Sipas Celibashit, rreth 8% e Qendrave të Votimit janë hapur me vonesë, ndërsa në 5% të tyre nuk kanë qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e komisioneve. Janë regjistruar tensione në disa prej qendrave që kanë shkaktuar vonesa në nisjen e votimit.
Ai theksoi gjithashtu se në 5% të QV-ve është raportuar mosrespektim i distancës prej 150 metrash nga individët që kanë përfunduar procesin e votimit. Në katër qendra mungojnë operatorët e pajisjeve për identifikimin elektronik, çka ka detyruar që ky proces të bëhet manualisht.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga KQZ është mungesa e asistencës për personat me aftësi të kufizuara, ku në 21% të rasteve të verifikuara nuk janë respektuar procedurat e parashikuara nga kodi zgjedhor.