Një incident ka ndodhur në një qendër votimi në Pogradec gjatë procesit zgjedhor që po zhvillohet sot në të gjithë vendin.
Sipas raportimeve, Luan Tollozhina përfaqësues i Partisë Demokratike, është përfshirë në një përplasje fizike me Entin Gegën, komisioner i Partisë Socialiste. Përplasja dyshohet se ka nisur për shkak të një konflikti me motive personale, pasi Gega dyshohet se ka ngacmuar vajzën e Tollozhinës, e cila ndodhej në qendër për të votuar.
Në vijim të ngjarjes, Tollozhina është shoqëruar në komisariat për të dhënë deklaratën e tij mbi incidentin.
Njoftimi i policisë:
Pogradec/Informacion paraprak.
Rreth orës 10:20, shtetasi E. G., që është komisioner në qendrën e votimit nr.3901/00 Pogradec, ka njoftuar tek salla operative, se brenda ambienteve të qendrës së votimit është goditur nga shtetasi L. T., Menjëherë është shkuar në afërsi të qendrës së votimit, dhe është bërë shoqërimi i shtetasit L. T., për në ambientet Komisariatit.
Në Komisariat është paraqitur dhe shtetasi E. G., për të bërë kallëzim. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.