Detaje të reja, çfarë ndodhi me avionin e linjës Tiranë-Londër?

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.05.2025, 00:00

Një incident u raportua mbrëmjen e së shtunës në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, që solli devijimin e disa fluturimeve për një periudhë të shkurtër kohe. Sipas informacioneve të siguruara nga redaksia jonë, bëhet fjalë për një rast të dyshuar për përplasje të një avioni me një tufë zogjsh.

Burime për JOQ Albania bëjnë me dije se një avion që ishte nisur nga Tirana drejt Londrës, rreth 15 minuta pas ngritjes, ka pësuar një goditje, e cila dyshohet se mund të ketë ardhur nga përplasja me zogj. Incidenti ka ndodhur pranë kufirit shqiptaro-malazez.

Bazuar në protokollet e sigurisë të kompanisë ajrore, piloti ka vendosur të kthehet në pikën më të afërt për kontroll teknik, që në këtë rast ishte sërish aeroporti i Tiranës. Për të garantuar sigurinë e pasagjerëve, këtij fluturimi i është dhënë prioritet për ulje, ndërsa fluturimet e tjera janë vendosur në pritje për më pak se 30 minuta.

Si rrjedhojë, disa avionë që kishin destinacion Rinasin janë devijuar përkohësisht në aeroporte të afërta si Brindizi dhe Shkupi. Ndërkohë, pasagjerët e fluturimit të kthyer do të akomodohen në hotele dhe udhëtimi i tyre drejt Londrës pritet të realizohet gjatë ditës së nesërme në orën 19:00.

Përplasjet e avionëve me zogj, të njohura si "bird strikes", ndodhin kur zogjtë godasin pjesë të ndryshme të avionit, më shpesh motorët apo xhamin e kabinës. Edhe pse shumica e rasteve nuk janë të rrezikshme, ato konsiderohen një kërcënim serioz për sigurinë ajrore dhe trajtohen me përparësi maksimale nga kompanitë ajrore dhe autoritetet.

Një nga rastet më të njohura ndodhi në vitin 2009 në SHBA, kur një avion i kompanisë “US Airways” u përplas me një tufë rosash menjëherë pas ngritjes nga aeroporti “LaGuardia” në New York. Të dy motorët u fikën, dhe piloti Chesley “Sully” Sullenberger realizoi një ulje të jashtëzakonshme emergjente mbi lumin Hudson, duke shpëtuar 155 pasagjerët në bord. Rasti u bë i njohur në mbarë botën dhe u konsiderua një mrekulli ajrore.

Për këtë arsye, çdo dyshim për përplasje me zogj, sidomos në zonën e motorëve, detyron pilotët të ndjekin protokollet e sigurisë dhe të ulin menjëherë avionin për inspektim teknik, siç ndodhi edhe në rastin e raportuar në Rinas.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit