Prej rreth një ore, dhjetëra qytetarë kanë raportuar te JOQ Albania për avionë që vinin vërdallë mbi hapësirën ajrore të aeroportit, pa mundur të uleshin.
Burime pranë aeroportit kanë bërë me dije për JOQ Albania se një avion ka goditur një tufe zogjsh gjatë zbritjes, duke shkaktuar një incident të klasifikuar si rrezik për sigurinë ajrore. Për këtë arsye, pista është mbyllur për rreth 60 minuta për kontroll dhe pastrim të saj, derisa situata të vihej plotësisht nën kontroll.
Për shkak të këtij bllokimi, disa avionë që kishin destinacion Tiranën janë detyruar të devijojnë. Raportohet se ata janë ulur në Brindizi, Bari dhe Shkup.
Mësohet se situata është normalizuar dhe pista është rihapur për fluturimet. Megjithatë, qytetarët që presin të afërmit e tyre në aeroport apo që janë pasagjerë në fluturimet e prekur, duhet të kontrollojnë me linjat ajrore për informacionin më të fundit.