Një shqiptar 38-vjeçar, banues në Gjermani, u arrestua gjatë natës mes 8 dhe 9 majit në një hotel në qytetin italian të Komos. Ai ishte dënuar në mungesë në vitin 2015 nga Gjykata për të Mitur në Trieste për një ngjarje të ndodhur në vitin 2004, kur ishte ende i mitur.
Arrestimi ndodhi falë një sistemi elektronik që kontrollon në kohë reale të dhënat e klientëve të hoteleve dhe i krahason ato me databazat e policisë. Pasi u shoqërua në komisariat, shqiptari u dërgua në burgun e Komos, raportojnë mediat italiane.
Por më pas ndodhi një kthesë e papritur: pas verifikimeve, gjykata konfirmoi se dënimi i tij ishte anuluar për shkak të një amnistie të dhënë gjatë viteve të fundit nga qeveria italiane. Për pasojë, autoritetet urdhëruan lirimin e menjëhershëm.
Shqiptari u la i lirë të premten pasdite, vetëm disa orë pas arrestimit të tij.
Mediat italiane nuk kanë dhënë informacion se çfarë vepre penale kishte konsumuar shqiptari kur ishte i mitur.