Në ditën e dytë të Giro d’Italia, Tirana është kthyer në një qytet të paralizuar. Rrugët kryesore janë bllokuar nga barriera dhe shirita sigurie, duke e bërë të pamundur qarkullimin normal të këmbësorëve dhe qytetarëve. Pamjet nga terreni tregojnë turma njerëzish të ngujuar pas pengesave, ndërsa kërkojnë rrugë për të kaluar, shpesh duke kaluar nën ose mbi barriera në mënyrë të pasigurt.
Forcat e rendit janë të pranishme në numër të madh, por mungesa e organizimit, sinjalistikës dhe komunikimit me qytetarët ka sjellë konfuzion të madh. Banorët shprehen të irrituar nga kaosi i krijuar dhe mungesa e konsideratës për jetën e përditshme të tyre.
Një ngjarje ndërkombëtare si Giro d’Italia pritej të sillte atmosferë festive në kryeqytet, por për shumë qytetarë ajo është shndërruar në një ditë stresuese dhe të mbushur me zemërim.