Policia e Dibrës ka bërë një reagim lidhur me ngjarjen e denoncuar mbrëmjen e djeshme në Maqellarë, ku pretendohej se përfaqësues të Partisë Socialiste po shpërndanin para për blerje votash.
Në njoftim bëhet e ditur se mbrëmjen e 9 majit rreth orës 21:15 është marrë një telefonatë nga Xhemal Gjunkshi, i cili është kandidat i Partisë Demokratike për deputet. Në kallëzimin e tij, Gjukshi pretendoi se në njësinë administrative Maqellarë, përfaqësues të PS-së po shpërndanin para për vota.
Më tej në njoftim thuhet se pas këtij sinjalizimi, në terren janë paraqitur një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit, ka kryer veprimet e para procedurale. Pas hetimeve të para, janë referuar materialet në prokurori për 6 persona, mes tyre shtetasit A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç (kandidati për deputet); E.Gj., 33 vjeç, të dyshuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, ndërsa në hetim janë përfshirë edhe veprat “Vetëgjyqësia” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”.
Dhe për shtetasit H.M., 54 vjeç; dhe F.P., 57 vjeç, për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Njoftimi i Policisë Dibër:
Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.
Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.
Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç.
Në vijim të hetimeve të kryera lidhur me ngjarjen e datës 09.05.2025, në Maqellarë, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje", në ngarkim të shtetasve H.M., 54 vjeç; dhe F.P., 57 vjeç.