Një tjetër video shqetësuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e sigurisë rrugore të ndjekura nga Policia e Shtetit. Pamjet tregojnë një furgon policie që qarkullon në errësirë totale, pa asnjë dritë të ndezur në pjesën e pasme dhe pa sinjalizim aktiv, në një kohë kur dukshmëria është tepër e ulët.
Ngjarja është konsideruar alarmante nga qytetarët, pasi automjeti i policisë jo vetëm që shkel hapur Kodin Rrugor, por rrit ndjeshëm rrezikun për aksidente të mundshme.
Ajo që e bën këtë rast edhe më të rëndë është fakti se vjen nga vetë institucioni që ka për detyrë të ruajë rendin dhe sigurinë në rrugë.
Sipas rregullave të qarkullimit, çdo automjet civil që lëviz pa ndriçim të pasëm ndëshkohet me gjobë dhe masa të tjera administrative.
Por kur shkeljet vijnë nga një mjet i forcave të rendit, pasoja nuk janë vetëm ligjore, por edhe morale: minohet besimi i qytetarëve tek drejtësia dhe barazia përpara ligjit.