Zhduken qentë në të gjitha akset ku do kalojë “Giro D’Italia”, aktivistët denoncojnë helmime masive

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09.05.2025, 19:37

Vetëm pak orë nga zhvillimi i garës së çiklizmit italian “Giro D’Italia” në Shqipëri, me dhjetëra denoncime janë bërë nga aktivistët për mbrojtjen e kafshëve lidhur me zhdukjen masive të qenve endacakë në disa qytete të mëdha të vendit.

Sipas aktivistëve, në bashkitë Vlorë, Durrës dhe Tiranë po zhduken qentë përgjatë të gjitha akseve ku pritet të kalojnë ekipet pjesëmarrëse të “Giro D’Italia”. Ata akuzojnë autoritetet vendore për pastrimin e rrugëve përmes helmimeve dhe zhdukjeve të qëllimshme të kafshëve, vetëm për të ofruar një pamje “të pastër” për garën ndërkombëtare.

Një nga rastet më të rënda është denoncuar në zonën e Surrelit, ku sipas raportimeve, janë helmuar 16 qen në një ditë të vetme. “12 prej tyre ishin qenushe vetëm dy muajshe, për të cilat një familje vullnetare kujdesej në terren”, thuhet në postimin e një aktivisti.

“Masakra ndaj qenve nuk ka të ndalur”, shkruajnë më tej aktivistët, duke rikujtuar edhe rastin e Lungomares në Vlorë, ku pak ditë më parë u helmuan 8 këlyshë katërmuajsh.

Denoncimet vijojnë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, ku sipas vullnetarëve, në segmentin nga Fresku deri te Thesari, rezultojnë të zhdukur 9 qen.

Aktivistët kërkojnë reagim urgjent nga institucionet shtetërore dhe ndalimin e këtyre akteve të dhunshme ndaj kafshëve, duke theksuar se ato nuk zgjidhin problemin, por shtojnë dhunën dhe fshehin realitetin.

Deri më tani, nuk ka asnjë reagim zyrtar nga bashkitë apo organizatorët e ngjarjes sportive.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit