Personi që denoncoi kandidatin e Partisë Socialiste për blerje votash në fshatin Podgorie të Maliqit është proceduar penalisht nga Policia e Korçës, me akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ngjarja u bë publike pas një videoje të shpërndarë mbrëmjen e djeshme, ku pretendohej se kandidati i PS-së, Arian Jaupllari, kishte premtuar 100 mijë lekë të vjetra në këmbim të votës për zgjedhjet e 11 majit. Në pamje shfaqej një i ri, i cili deklaronte se kandidati ia kishte premtuar shumën nënës së tij, e cila do ta merrte të shtunën më 10 maj.
Pas verifikimeve, Policia deklaroi se nuk ka gjetur prova që lidhen me blerje votash. Ndërkohë, 34-vjeçari A. P., banues në Podgorie dhe autor i videos, është proceduar penalisht pasi refuzoi të dorëzojë celularin me të cilin ka kryer regjistrimin, duke penguar hetimin. Ai ka precedentë penalë të mëparshëm në fushën e narkotikëve dhe krimeve kundër personit.
Policia bën të ditur se materialet për këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë porsa janë njohur me një postim në rrjetet sociale ku në dy video të postuara pretendohej se një kandidat për deputet i subjektit politik Partia Socialiste ka qene duke u ofruar shuma parash ne këmbim të votave banorëve të fshatit Podgorie-Maliq, menjëherë nisën punën për verifikimin e rastit.
Si rezultat i veprimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, proceduan penalisht për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, për shtetasin A. P, 34 vjeç, banues në Podgorie, Maliq, me precedent të mëparshëm kriminal dhe i dënuar për vepra penale në fushën prodhimit dhe shitjes së narkotikeve dhe të krimeve kundër personit.
Nga veprimet hetimore të kryera, kontrollet dhe deklarimet e marra shtetasve të cilët shfaqeshin në këto pamje dhe kandidatit për deputet shtetasit A.J, nuk u konstatua ndonjë veprim i kundraligjshëm që ka të bëjë me shitblerjen e votave.
Gjithashtu, nga analiza e pamjeve filmike dhe nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. P., ka qenë personi i cili ka kryer regjistrimin audio-video të shtetasit që shfaqet në ato pamje.
Shtetasi A. P., ka refuzuar vënien në dispozicion të Policisë me qëllim ekspertimin të pajisjes me të cilën ka kryer ketë regjistrim, duke u bërë shkak për pengimin e hetimeve të mëtejshme nga strukturat ligjzbatuese.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkalles së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.