Anëtarët demokratë të Këshillit Bashkiak të Tiranës kanë paraqitur sot një kërkesë me anë të së cilës kërkojnë shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut të burgosur Erion Veliaj, me argumentin se ai ka tre muaj që nuk paraqitet në punë.
Sipas dokumentit të kërkesës, Veliaj ka munguar për një periudhë të pandërprerë tre muaj, që nga arrestimi i tij në 10 shkurt 2025. Ditën e nesërme bëhen tre muaj nga kjo ngjarje, dhe këshilltarët e PD-së duke iu refeuruar nenit 62, pika c të Ligjit Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, ku përcaktohet se kryetari i bashkisë humbet mandatin nëse nuk paraqitet në detyrë për një periudhë të tillë, kërkojnë që në mblejdhjen e së hënës të 12 majit, të merret vendimi i shkarkimit.
Në kërkesë thuhet:
“Bazuar në Ligjin Nr. 139/2015 “Per Vetëqeverisjen Vendore”, të ndryshuar, neni 62, shkronja c, që shprehet se “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim te Këshillit te Ministrave në rastet kur (pika c: propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak perkates per mosparaqitje në detyre për nje periudhe 3- mujore te panderprere” ju bëjmë me dije se periudha 3-mujore e cituar në ligj përfundon këtë fundjave, pasi ka filluar me datë 10 shkurt 2025 në ditën e arrestimit z. Erion Veliaj.
Si rrjedhojë, kërkojmë: Mbledhjen e Këshillit Bashkiak te Bashkise Tirane, me date 12 maj 2025, dita e parë e punës pas kalimit të afatit 3-mujor të mosparaqitje të pandërprerë në detyre te z. Erion Veliaj, me objekt zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe propozimin në Këshillin e Ministrave të shkarkimit të z. Erion Veliaj.”
Pas kësaj procedure, kërkesa duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave që më pas kryebashkiaku të humbë mandatin. Më pas caktohet data e re e zgjedhjeve për kryetar bashkie.