“Giro d’Italia” shkakton trafik nga Tirana në Rrogozhinë, qytetarët të papërgatitur

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 09.05.2025, 13:27

Organizimi i garës ndërkombëtare “Giro d’Italia” në Tiranë ka shkaktuar kaos në lëvizjen normale të qytetarëve, të cilët janë përballur me vështirësi për të arritur në vendet e tyre të punës apo në destinacione të tjera.

Një qytetare, që po udhëtonte me autobus drejt Durrësit, denoncon se rruga ishte mbyllur që në orën 10:00 të paradites, ndonëse sipas njoftimit zyrtar bllokimi parashikohej të ndodhte në orën 13:00. Sipas saj, autobusi i mbushur me udhëtarë u detyrua të kthehej mbrapsht në Tiranë, duke i lënë shumë qytetarë pa mundësi për të përmbushur angazhimet e tyre.

“Pershendetje! Mund te raportoni nje rast. Jam ne autobus per ne durres. Rruget jane mbyllur kur ishte dhene lajmi per ne oren 1. Do detyrohemi te kthehemi kur kemi pune per te bere. Autobusi yne u kthye ishte plot”, shkruan qytetarja.

Përveç Tiranës dhe Durrësit, trafik raportohet të ketë dhe në Rrogozhinë, ku qarkullimi është bllokuar që në orën 12:00.

“Bllokohet rruga 1 or para nisjes se ciklisteve duke krijuar kaos ne rruge. Edhe pse kemi dale herës sot per mos na kapur ora 1. Tek rrethrrotullimi i Divjakes. Nga Rrogozhina ka shkuar trafiku deri ne Lushnje”, shkruan një tjetër qytetar.

Raste të ngjashme janë raportuar edhe nga qytetarë të tjerë në Tiranë dhe Durrës, të cilët janë përballur me ndalimin e qarkullimit disa orë përpara kohës së paralajmëruar. Në Tiranë, qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë për ndërprerjen e shërbimit urban që në orët e para të mëngjesit, përfshirë linja si “Green Line” e Unazës, që nuk ka qenë funksionale gjatë paradites.

Kjo situatë ka nxitur reagime të shumta dhe irritim mes qytetarëve, të cilët kërkojnë organizim më të mirë dhe njoftime më të sakta në raste të tilla.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit