Pas shtatë ditësh nën rrënojat e mineralit në zonën e Qafë-Burrelit, në Klos, është nxjerrë sot trupi i pajetë i Ardit Beshirit, 29 vjeç. Ai po punonte me eskavator nën një masiv dheu, kur papritur shpërthimi i një rezervuari shkaktoi një rrëshqitje të madhe dheu, që e zuri poshtë dhe i mori jetën. Ngjarja tragjike ndodhi të shtunën, më 3 maj.
Trupi i Arditit u gjet disa kilometër larg nga vendi i ngjarjes, mes mineraleve të shumta që u rrëzuan në momentin e çarjes së digës.
Babai i tij, Nerim Beshiri, bëri thirrje të përsëritura për dërgimin e mjeteve të specializuara për kërkimin e të birit, por përpjekjet nuk sollën shpëtimin e Arditit. Në mungesë të një reagimi të menjëhershëm institucional, pjesa më e madhe e kërkimeve të para u zhvillua nga familjarët dhe të afërmit.
Më vonë, kërkimeve iu bashkua edhe një ekip i Forcave të Sigurisë së Kosovës, që kontribuoi në operacionin e gjetjes së Arditit. Masivi i rrëshqitur mbulon një sipërfaqe të madhe në një luginë nën minierë, duke e bërë tepër të vështirë lokalizimin e trupit të 29-vjeçarit.