Një mesazh prekës ka mbërritur në redaksinë e JOQ, duke rikujtuar se varfëria nuk matet vetëm me para, por edhe me shpirt dhe ndërgjegje.
"Nëse e shikoni këtë nënë në karrocë, mos e injoroni. Qëndron shpesh tek Dogana ose kthesa e Kamzës. Edhe unë e kam injoruar më parë, por sot kur e pashë duke ushqyer dikë tjetër, kuptova se ajo ka më shumë zemër se shumë prej nesh që kemi më shumë para se ajo", shkruan një qytetar i prekur nga ajo çfarë pa.
Kjo nënë, pavarësisht kushteve të rënda dhe gjendjes së saj fizike, ka zgjedhur të ndajë nga e pakta që ka. Një akt i vogël me mesazh të madh: njerëzia nuk ka lidhje me pasurinë, por me dashurinë dhe dhembshurinë që tregojmë ndaj njëri-tjetrit dhe kafshëve.
Në një shoqëri që shpesh nxit indiferencën dhe paragjykimin, ky moment i thjeshtë në rrugët e Tiranës është një pasqyrë e dhimbshme e vlerave që kemi humbur, dhe një thirrje për t’u ndalur, për të parë dhe për të ndihmuar.
Mos e injoroni kur ta shihni – ndoshta ajo do t'ju mësojë më shumë për jetën se çdo njeri tjetër me para në xhep.