Një situatë e përsëritur çdo ditë po revolton banorët e lagjes Besëlidhja në qytetin e Lezhës. Siç dëshmohet edhe nga kjo foto e dërguar nga një qytetar për JOQ, automjetet parkohen në mënyrë kaotike, pa respektuar rregullat dhe pa marrë parasysh nevojat e të tjerëve.
Sipas qytetarit, "bossat e lagjes" i vendosin makinat ku t’u teket, duke bllokuar rrugët hyrëse dhe vendet publike të parkimit. Ndërkohë, shtresat më të ulëta detyrohen të paguajnë parkim privat, pasi nuk kanë mundësi të gjejnë hapësirë të lirë për mjetet e tyre.
“Është bërë e padurueshme. Çdo ditë njësoj. Paguajmë për parkim, ndërsa të tjerët pushtojnë rrugët pa asnjë kontroll,” – thotë i revoltuar banori.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet lokale për të vendosur rregull dhe për të ndëshkuar ata që abuzojnë me hapësirat publike.