Një autobus me targa të Kosovës është kapur duke lëvizur me shpejtësi mbi 120 km/h në tunelin e Kalimashit, duke shkelur rëndë rregulloren e qarkullimit rrugor dhe duke vënë në rrezik sigurinë e qindra përdoruesve të këtij aksi të rëndësishëm.
Tuneli i Kalimashit, një nga strukturat rrugore më të rëndësishme në veri të vendit, ka një kufi maksimal shpejtësie prej 70 km/h, pikërisht për të garantuar siguri në një ambient të mbyllur dhe me kushte të veçanta qarkullimi.
Lëvizja e këtij autobusi me më shumë se dyfishin e shpejtësisë së lejuar konsiderohet një shkelje e rëndë me pasoja të mundshme fatale, veçanërisht në tunel. Ky rast ngre shqetësimin për kontrollin e shpejtësisë dhe respektimin e rregullave në nyjet kyçe rrugore, ku rreziku nga pakujdesia është maksimal.
Autoritetet rrugore dhe policia duhet të marrin masa pasi raste të tilla sa vijnë e përsëriten e bashkë me to edhe aksidentet.