“Nuk është autoktone!”, Ndalohet për dy ditë varrosja e gruas egjiptiane në Prrenjas

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 07.05.2025, 20:39

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë javë në fshatin Katjel në Njësinë Administrative Rrajcë në Bashkinë e Prrenjasit, ku për dy ditë me radhë, një grua e komunitetit egjiptian nuk është varrosur te varrezat e fshatit, sepse pleqësia dhe një pjesë e banorëve e konsideronin familjen e të ndjerës “jo autoktone”.

E ndjera Sofie Doda, 63 vjeç, nënë e katër fëmijëve, ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë këtë fillimjavë. Pavarësisht se familja Doda jetonte prej dhjetëra vitesh në fshatin Katjel, pleqësia e fshatit dhe disa banorë të tjerë refuzuan hapur që ajo të varrosej në varrezat lokale.

Madje, familjarëve nuk iu lejua të varrosnin të ndjerën as në pjesën e varrezave të njohura si “të komunitetit egjiptian”, që ndodhet në një zonë brenda fshatit. Përballë një situate të pashembullt, familja e të ndjerës, e cila jeton në kushte të vështira ekonomike, kërkoi ndihmë nga të njohur dhe sipërmarrës në qytetin e Prrenjasit.

Një sipërmarrës i njohur nga fshati Skroskë arriti të sigurojë një vend për varrin e 63-vjeçares në varrezat publike të qytetit të Prrenjasit dhe ceremonia mortore u zhvillua mesditën e së mërkurës, larg fshatit ku kishte jetuar Sofie Doda.

“Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që dikujt t’i mohohet varri në fshatin apo qytetin ku ka jetuar, vetëm pse nuk është i një ‘gjaku’ apo përkatësie ernike e vendore”, – tha Emin Dashi, administrator i agjencisë funerale në Prrenjas prej më shumë se 35 vitesh dhe organizator i ceremonisë së varrimit.

Ngjarja ka nxjerrë në pah jo vetëm diskriminimin etnik ende të pranishëm në disa komunitete rurale, por edhe mungesën e një rregullimi ligjor për menaxhimin e varrezave. Rasti ka shkaktuar indinjatë të gjerë dhe thirrje për ndërhyrje institucionale, duke ngritur nevojën për përcaktimin e qartë të të drejtave për përdorimin e varrezave publike dhe garantimin e dinjitetit njerëzor, pavarësisht prejardhjes apo përkatësisë sociale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit