Disa ditë më parë në lokalin “Republika” në qendër të Korçës ndodhi një konflikt i dhunshëm mes të miturash, ku u përfshinë dy vajza që dyshohet se shantazhonin bashkëmoshatare duke postuar foto dhe video intime të tyre në rrjetet sociale. Menaxherja e kësaj faqeje ishte vajza me inicialet P.M., në bashkëpunim me Elvia Pinderin, përgjegjëse për përdorimin e aplikacionit anonim “Tellonym”, i lidhur me profilin në “Instagram”.
Ngjarja u përshkallëzua kur disa prej vajzave që ishin viktima të shantazhit shkuan në tavolinën e P.M. në lokal për t’i kërkuar llogari për postimet. Njëra prej vajzave të përfshira në përplasjen fizike, e cila goditi P.M. me gotë qelqi në fytyrë, rrëfeu se gjithçka nisi kur dëgjoi emrin e saj dhe u afrua për të sqaruar situatën me grupin.
Sipas saj, P.M. nuk shfaqi asnjë shenjë pendese për veprimet e saj, por përkundrazi, i ofendoi dhe i shau vajzat që po kërkonin sqarim.
“Si gjithmonë, unë dhe shoqet e mia shkuam në kafene. Më pas erdhi vajza që kishte hapur faqe në “Instagram” bashkë me shoqen e saj. Vajzat që ishin ulur në tavolina afër nesh u ngritën për të sqaruar çështjen që kishte ndodhur. Gjatë bisedës u përmend edhe emri im, ndaj shkova të interesohem.
Fola me vajzën që kishte hapur faqen dhe e pyeta pse e kishte bërë një gjë të tillë dhe si nuk ndiente as respekt dhe as keqardhje për vajzat që kishte përmendur. Ajo më tha: “Pse vjen këtu? Mos më kërko llogari!”. Qëndronte me krenari dhe thoshte: “Nuk keni çfarë të më bëni, as ju, as ndonjë tjetër. Këtu jam sot, çfarë ndodhi ka mbetur në të kaluarën”, dhe fliste pa asnjë shenjë pendese. Nuk kërkoi falje”, tregoi e mitura.
Adoleshentja u shpreh se, nga acarimi, pasi P. M. po e ofendonte me fjalë banale, kishte marrë një gotë qelqi nga tavolina dhe e kishte goditur në fytyrë vajzën. Ajo vijoi më tej duke thënë se P. M. gjithashtu kishte tentuar ta godiste, dhe se reagimi i saj i dhunshëm ishte në vetëmbrojtje.
“Ajo po fliste me fjalë banale, duke na ofenduar të gjithave dhe duke na quajtur ku*va. Nga acarimi i tepërt, e shava edhe unë. U ndjeva e prekur, sepse ne nuk jemi ashtu. I thashë: ‘Nuk jemi ne ato që thua ti.’ Ajo, nga nervat, u ngrit dhe tentoi të më godiste. Unë, për vetëmbrojtje, mora gotën dhe e godita në fytyrë. I kërkoj falje familjes së saj, por pres të njëjtën gjë edhe nga ajo dhe familja e saj, për mua dhe vajzat që ajo ka denigruar në faqen e Instagramit dhe kushdo tjetër që është përmendur aty”, tha ajo.