Një aksident i frikshëm ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Fier-Lushnje, në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Vajkanit”, ku një kamion ka përplasur një autoambulancë.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia, aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:50, ku drejtuesi i kamionit me inicialet I. S., ka përplasur një ambulancë që drejtohej nga shtetasi me inicialet J. T.
Për pasojë kanë mbetur të lënduar pacienti 38-vjeçar me inicialet G. Z., dhe personat që po e shoqëronin, mes tyre babai i pacientit, 74-vjeçari me inicialet E. Z., një punonjës policie i komisariatit të Skaraparit, 54-vjeçari H. B., dhe infermieri i ambulancës me inicialet T. M. Ata janë dërguar në spital dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Pacienti 38-vjeçar sapo kishte dalë nga spitali psikiatrik i Vlorës, dhe ambulanca bashkë me babain, policin dhe infermierin, po e shoqëronin për në shtëpi.
Njoftimi i Policisë:
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 14:50, në aksin rrugor "Fier-Lushnjë", në vendin e quajtur "Vajkan", ka ndodhur një aksident rrugor ku janë përplasur automjeti tip "Kamion" me drejtues shtetasin I. S., dhe autombulanca me drejtues shtetasin J. T.,
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar pacienti, shtetasi G. Z., 38 vjeç dhe personat që shoqëronin pacientin nga spitali psikiatrik Vlorë, për në banesë, shtetasi E. Z., 74 vjeç, banues në Skrapar, babai i pacientit, shtetasi H. B., 54 vjeç, punonjësi i policisë në Komisariatin e Skraparit(SPZ), dhe shtetasi T. M., banues në Çorovodë, infermieri, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon veprimet për përcaktimin e shkakut të aksidentit.