Avokati Altin Goxhaj, kandidat në zgjedhjet e 11 majit në listat e hapura të koalicionit "Aleanca për Shqipërinë Madhështore", ka dhënë një intervistë për TVA News, ku ndau arsyet pse synon të bëhet deputet dhe çfarë e dallon nga kandidatët e tjerë.
Pse i duhet Altin Goxhaj të jetë në Parlament?
Sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për një avokat të popullit në Parlament. “Prej 34 vitesh kemi parë deputetë kukulla që marrin urdhra nga kryetarët. Unë nuk kam nga kush të marr urdhra,” u shpreh Goxhaj, duke premtuar një zë të lirë dhe të pavarur në Kuvend.
Ai e sheh mungesën e përfaqësimit të denjë si një nga problemet më të mëdha të politikës shqiptare. Prandaj, misioni i tij është të jetë zëri i atyre që nuk kanë pasur kurrë një përfaqësues të vërtetë në institucionin më të lartë të vendit.
Pse është bashkë me Partinë Demokratike?
“Sepse vetëm kështu vota që vjen për mua nuk shkon aspak për Ramën,” u shpreh Goxhaj. Ai argumenton se, sipas sistemit zgjedhor aktual, votat për partitë e vogla shpesh përfundojnë duke favorizuar partinë më të madhe – në këtë rast Partinë Socialiste. Prandaj, për të shmangur këtë, ai ka zgjedhur të jetë pjesë e një koalicioni opozitar.
Një derë e hapur për qytetarët
Detaji që bie në sy në kartëvizitën e Altin Goxhajt është angazhimi i tij konkret për pritjen e qytetarëve. Ai ka përcaktuar orare të rregullta për takime: nga data 1 Shtator 2025, çdo të hënë deri të mërkurë nga ora 13:00 deri në 17:00. Ky është një sinjal i qartë se do të jetë i pranishëm për qytetarët dhe jo i izoluar në zyrat e pushtetit.
Nga censura te të vërtetat e hidhura
Goxhaj është shprehur se shpesh është censuruar nga mediat, sidomos kur ka folur për tema si shpopullimi, “plandemia”, dhe axhenda e Sorosit. Në fillim, sipas tij, njerëzit nuk e besonin. Por sot, kur çdo familje ka të afërm në emigrim, shpopullimi është bërë realitet. “Bijtë dhe bijat e Shqipërisë nuk trokasin më në derën ku lindën, por janë rrugëve të Evropës,” shprehet ai.
Sipas tij, ky nuk është një largim i rastësishëm, por një eksod i organizuar, rezultat i një sistemi që ka dështuar të ofrojë shpresë dhe mundësi për të jetuar në vendin e vet.
Mesazhi simbolik: “Make Albania Home Again”
Në kapelen e tij të përdorur gjatë fushatës është shkruar: “Make Albania Home Again” – “Bëje Shqipërinë shtëpinë tënde sërish!”. Ky është thelbi i kauzës së tij politike – rikthimi i shpresës dhe i jetës në Shqipëri.
Ai e përmbyll me një krahasim të qartë: “Kur ndodh një aksident, gjëja e parë që bën mjeku është të ndalojë hemorragjinë.” Po kështu, thotë ai, duhet ndalur hemorragjia e shpopullimit që po boshatis vendin.