Një shtëpi në Shrewsbury Close, në zonën Bloxwich të Walsall, Angli, është përfshirë nga flakët duke lënë të plagosur rëndë dy shqiptarë nga Tepelena. Sipas autoriteteve britanike, banesa dykatëshe që u shkatërrua nga zjarri, dyshohet të ketë shërbyer si shtëpi bari për kultivimin e lëndëve narkotike.
Shkak i shpërthimit dyshohet të ketë qenë një rrjedhje gazi nga bombolat, të përdorura për ngrohjen artificiale të bimëve. Zjarri u përhap me shpejtësi në pronat fqinje, duke detyruar evakuimin e dhjetëra banorëve, të cilët u strehuan përkohësisht në Kishën e Shën Thomait dhe nga Këshilli i Walsall-it.
Dy shqiptarët që jetonin në shtëpinë që po digjej, u kapën në kamera duke ikur nga vendi i ngjarjes përmes një shtegu bari, ndërsa fqinjët e shqetësuar u mblodhën jashtë në rrugë. Ambulancat u thirrën në një adresë tjetër dy orë më vonë në Willenhall, tre milje larg dhe gjetën dy shqiptarët me djegie të rënda. Ambulanca britanike njoftoi se janë përdorur ekipe të specializuara për trauma, ndërsa njëri prej të plagosurve është transportuar me kujdes të avancuar mjekësor në gjendje emergjente.
Një shqiptar në Birmingham, ka treguar për mediat se dy të rinjtë shqiptarë që ndodheshin brenda janë nga Tepelena. Njëri prej tyre ka djegie në 30% të trupit, ndërsa tjetri është në gjendje kritike me 60% djegie, i shtruar në Spitalin Queen Elizabeth në Birmingham.
Në vendngjarje janë angazhuar më shumë se 60 zjarrfikës nga 10 ekipe, që punuan për orë të tëra për të vënë nën kontroll flakët. Një ekip hetuesish nga policia dhe shërbimi zjarrfikës vijon të hetojë shkaqet dhe rrethanat, përfshirë aktivitetin kriminal të dyshuar.
Policia e West Midlands konfirmoi se është hapur një hetim i plotë për ngjarjen dhe se po verifikohen të gjitha pistat, përfshirë lidhjet me kultivimin e paligjshëm të drogës dhe rrezikimin e jetës së banorëve.
Një banor i zonës duke përshkruar tmerrin që përjetuan nga zjarri i përhapur me shpejtësi edhe në banesat e tyre tha:
"Këta dy djem ikën nga shtëpia dhe dolën në rrugë – njëri ishte me një bluzë blu, tjetri me të bardhë. Pastaj zjarri u përhap dhe përfshiu shtëpinë për rreth dhjetë minuta para se të arrinte shërbimi zjarrfikës. Vetëm ata do ta dinë se çfarë e shkaktoi, por mua më duket e çuditshme – që e gjithë pjesa e sipërme e shtëpisë të shkatërrohet në atë mënyrë, ndërsa kati i poshtëm është në rregull, nuk është normale."
Rasti hedh dritë mbi rrezikun serioz që paraqesin shtëpitë e barit në Britani, jo vetëm për ata që i menaxhojnë, por edhe për komunitetin përreth – banorë të pafajshëm që mund të pësojnë pasojat e një aktiviteti kriminal të fshehur mes lagjeve të zakonshme.