5 ditë nga zhdukja! Arditin po e kërkon Kosova, ushtarët shqiptarë kanë kazma e lopata

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 07.05.2025, 11:15

Ditët vazhdojnë të kalojnë por ende asnjë shenjë nuk është dhënë deri më tani për gjetjen e 29-vjeçarit Ardit Beshiri, i cili u zu poshtë nga një masiv i madh minerar të shtunën e 3 majit, teksa ishte duke punuar me eskavator në Qafë-Burrel.

Kjo e mërkurë shënon ditën e pestë që ai ka humbur kontaktet me familjen për shkak të incidentit që i ndodhi në punë. Ajo që është raportuar nga të afërm të Arditit flet për një neglizhencë të rastit nga autoritetet shtetërore, të cilat kanë vepruar me shumë vonesë dhe nuk kanë marrë masat e menjëhershme që mund të çoni në gjetjen e Arditit.

Pas katër ditësh nën dhé, Ministria e Mbrojtes u kujtua për të bërë një reagim sipërfaqësor ditën e djeshme, teksa ushtarët që po gërmojnë në terren janë të pajisur me lopata dhe kazma. Nuk ka asnjë mjet të sofistikuar që mund të ndihmojë në lokalizimin e Arditit.

Babai i tij Nerim Beshiri, duke parë reagimin e vakët institucional, doli publikisht në media, dhe me zemrën e thyer kërkoi reagim dhe dërgimin e pajisjeve të specializuara për gjetjen e djalit. “Amani ore, më ndihmoni si shtet në paçi mundësi. T’i gjej një gisht djalit, të di ku të vendos një lule”, tha ai në një dalje publike

Duket se më shpejt se autoritetet tona, kanë reaguar ato të Kosovës. Sot, Forcat e Sigurisë së Kosovës ka shkuar për t’iu bashkuar kërkimeve për gjetjen e Arditit, krah kolegëve të tyre shqiptarë, të pajisur me shata e kazma. Deri më tani janë gjetur disa pjesë të eskavatorit.

Ata që kanë vazhduar kërkimet pa ndërprerje janë familjarët e Arditit, të cilët shpresojnë në një mrekulli, dhe gjetjen e djalit të tyre gjallë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit