Një i burgosur nga burgu i Fushë-Krujës ka denoncuar një rast presioni ndaj të burgosurve për të votuar për kandidatin e Partisë Socialiste, Arkend Ballën, në zgjedhjet e ardhshme. Në një mesazh të dërguar për redaksinë, ai akuzon drejtorin e burgut, Apostol Luca, se është ai që po koordinon këto presione.
I burgosuri thotë se, disa ditë para zgjedhjeve, të burgosurve do t’u jepen urdhra se cilin kandidat do të votojnë, dhe ata janë të detyruar t’i ndjekin këto urdhra ose përballen me pasoja të rënda.
Në mesazhin e tij, ai thekson se nuk ka pasur asnjë mbështetje nga autoritetet shtetërore, dhe pyet se si mund të ketë shtet dhe sistem drejtësie kur kjo po ndodh nën hundën e institucioneve të vendit.
“Na thonë se ditën e fundit do t’na thonë se cilin kandidat do të votojmë dhe duhet ta bëjmë pa diskutim, ose na marrin në qafë,” shkruan ai, duke shtuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorinë për të denoncuar këtë veprim.
Ky denoncim ngre shqetësime të mëdha për mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve, duke përfshirë presionin mbi të burgosurit për të mbështetur një kandidat të caktuar.
Denoncimi i qytetarit:
“Pershendetje. Jam nji i burgosur ktu ne burgun e Fushe Krujes. Neve qe jemi te burgosur na bejn presion per te votu kandidatin e PS e kto presione vijn nga drejtori burgut Apostol Luca. Po na thone qe diten e ejte tre dite para zgjedhjeve do tju vije me urdher se cilin kandidat do te votoni dhe ju duhet te votoni ate qe do na thone ose ndrysh na marrin ne qaf. Un nuk e di a ka shtet a ka Spak a cfar ka ktu sikur jemi ne Kolumbi edhe privat po ta ket ky drejtori burgut nuk bahet kshu. Une jam ne dispozicion te prokurorise se kush do na beje presin per te votu jam i gatshem te bej kallzim edhe per gjithcka do tju shkruaj prap. Per Arkend Ballen i duan votat.”