India ka nisur një operacion ushtarak në territorin e Pakistanit dhe në Kashmirin e administruar prej tij, duke goditur disa objekte të konsideruara si “infrastrukturë terroriste”. Veprimi vjen si reagim ndaj sulmit të përgjakshëm në Pahalgam, ku më 22 prill mbetën të vrarë 25 turistë indianë dhe një shtetas nepalez.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Mbrojtjes e Indisë theksoi se operacioni ishte i matur, i përqendruar dhe jo përshkallëzues, duke nënvizuar se nuk janë sulmuar struktura ushtarake pakistaneze.
“India ka treguar përmbajtje të konsiderueshme në përzgjedhjen e objektivave dhe mënyrën e zbatimit të operacionit,” thuhet në deklaratë.
Nga ana tjetër, Pakistani ka reaguar ashpër, duke e cilësuar sulmin si një “provokim të rëndë” dhe paralajmëroi se do të përgjigjet në kohën dhe mënyrën që do zgjedhë vetë.
“Kjo provokim i rëndë nuk do të mbetet pa përgjigje,” deklaroi zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Ahmed Sharif Chaudhry.
Sipas burimeve të ushtrisë pakistaneze, janë goditur pesë zona: Kotli, Muzaffarabad dhe Bagh (në Kashmirin e administruar nga Pakistani), si dhe Ahmadpur East dhe Muridke në provincën Punjab. Të njëjtat burime thonë se mes të prekurve nga sulmet ka civilë dhe banorë të pafajshëm, pa konfirmuar ende viktima apo dëme në objektiva ushtarake.
Ky është një nga përshkallëzimet më serioze të marrëdhënieve mes Indisë dhe Pakistanit në vitet e fundit, teksa komuniteti ndërkombëtar u bën thirrje palëve për vetëpërmbajtje dhe dialog.