Një qytetar ka ngritur akuza serioze ndaj policisë së Kukësit, duke pretenduar se kjo e fundit ka fshehur një aksident të ndodhur para tre ditësh menjëherë pas tunelit të Kalimashit. Sipas tij, një furgon i kompanisë “Ylli Tours” ndaloi në mënyrë të paligjshme për të marrë një pasagjer për vetëm 2 mijë lekë të vjetra, çka çoi në një aksident të rëndë ku mbetën të plagosur katër persona.
Denoncuesi thekson se, megjithë ngjarjen e rëndë, policia nuk ka marrë asnjë masë ndaj drejtuesit të mjetit, i cili ka rifituar patentën menjëherë, pa gjobë apo pasoja ligjore.
Sipas tij, ngjarja nuk është pasqyruar në asnjë raport zyrtar apo media, duke ngritur dyshime për një mbulim të qëllimshëm nga ana e autoriteteve.
Denoncimi i plotë i qytetarit:
"Si jeni JOQ, desha të denoncoj një aksident që ka ndodhur sapo kalon tunelin e Kalimashit. Çfarë fsheh policia e Kukësit? Furgoni i pasagjerëve, për 2 mijë lekë të vjetra, ndaloi për të marrë një pasagjer dhe shkaktoi aksident. Katër veta janë në gjendje të rëndë. Policia fsheh provat. Shoferi merr patentën pa gjobë dhe pa probleme, sepse në Kukës policinë e drejton paraja dhe Ylli Tours. Aksidenti ndodhi para tre ditësh dhe askush nuk ka folur për të."
Lidhur me këtë denoncim të qytetarit ka reaguar Policia e Lezhës:
"Po ju kontaktoj lidhur me një publikim të bërë nga JOQ, ku thuhet se policia e Kukësit ka fshehur një aksident pranë tunelit të Kalimashit. Dua të të sqaroj se ngjarja në fjalë ka ndodhur në territorin e qarkut Lezhë, jo në Kukës, dhe nuk bëhet fjalë për asnjë fshehje. Për këtë rast, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka dhënë njoftim zyrtar për shtyp më datë 29.04.2025, i cili është publikuar edhe në faqen zyrtare të DVPLezhë. Njoftimi është si më poshtë:
“Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. B., 37 vjeç, banues në Kosovë, sepse dje, duke drejtuar automjetin, në dalje të tunelit të Kalimashit, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me një autobus. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë shtetasi M. B. dhe pasagjerja në automjetin e tij, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.”