Ishte java e parë e majit të vitit të kaluar ku titujt kryesorë të lajmeve apo mediave sociale mbartnin tragjedinë e pazakontë që la pas vetëm heshtje, dhimbje dhe akuza.
Alma Arrazi, një 39-vjeçare zgjodhi të vetëflijohet së bashku me tre fëmijët e saj të mitur 9, 7 dhe 3 vjeç duke u hedhur nga ura e Bunës në Shkodër. Ajo nuk i la fëmijët pas i mori me vete, në një akt ekstrem të dhimbjes dhe protestës së heshtur, që sot ende nuk është kuptuar plotësisht.
Trupat e katër anëtarëve të familjes Arrazi u gjetën pas disa ditësh kërkimesh në ujërat e Bunës. Më pas, ndarja e tyre fizike vazhdoi edhe në vdekje: Alma u varros në Durrës, pranë nënës së saj, ndërsa tre fëmijët u përcollën për në banesën e fundit në Shkodër, vendlindjen e të atit, Erdgys Arrazi.
Për këtë ngjarje, drejtësia ka vënë në bankën e të akuzuarve Erdgys Arrazin, bashkëshortin e të ndjerës, i cili ndodhet në paraburgim në burgun e Reçit. Prokuroria e Shkodrës ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dënim prej 6 vitesh burg për të, akuzuar për ushtrim të dhunës psikologjike që çoi në vetëvrasjen e bashkëshortes së tij. Me gjykim të shkurtuar, prokuroria kërkon ulje të dënimit në 4 vite. Në lidhje me vdekjen e fëmijëve, çështja është pushuar për shkak të vdekjes së autores së dyshuar, vetë Alma.
Një shoqëri që hesht, gjykon dhe harron shpejt
Në mediat shqiptare, ngjarja tronditi për disa ditë. Tituj të mëdhenj, kronika të gjata, diskutime në studio televizive. Opinioni publik u ndau mes dhembshurisë dhe gjykimit të ashpër. U tha se Alma veproi në kushte depresioni, se e bëri si shenjë hakmarrjeje, se ishte e dëshpëruar, por edhe se ishte "e sëmurë mendore". Por mjeku neuro-psikiatër Gjon Preçi, i cili ka qenë në kontakt me Almën dy vite më parë, hedh poshtë këtë pretendim duke deklaruar se ajo nuk ishte paciente me probleme të rënda mendore dhe se nuk ka pasur ndonjë trajtim të vazhdueshëm.
Çfarë mësuam në si shoqëri, përveçse të gjykojmë
A e dëgjoi kush Almën, përpara se të zgjidhte rrugën më të errët të mundshme? A e trajtoi shoqëria me seriozitet dhunën psikologjike si formë vrasjeje të heshtur? A u ofrua ndihmë për një nënë me tre fëmijë? Apo, siç ndodh shpesh, ajo u gjykua, u etiketua dhe më pas u harrua?
Një vit më pas, jeta ka vazhduar për të gjithë, përveç atyre që u përpinë nga uji i Bunës. Mediat heshtin, institucionet heshtin, ndërsa dhimbja mbetet në shpirtin e familjes së saj si një plagë e pashërueshme. Shoqëria që nuk mëson nga tragjeditë e veta, i përsërit ato.