Një tjetër marrëveshje në sektorin e shëndetësisë është zbuluar së fundmi, teksa spitali privat “Salus-Tirana” ka njoftuar publikisht se ka nisur të ofrojë shërbimin e hemodializës me financim nga buxheti i shtetit.
Ky njoftim, i bërë nga spitali më 26 prill 2025, nuk është shoqëruar nga asnjë dokument apo deklaratë zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë apo Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, duke ngritur dyshime serioze për mungesën e transparencës.
Aktualisht, koncesioni i vetëm zyrtar për hemodializën është ai i firmosur në vitin 2016 me vlerë 100 milionë euro, i dhënë kompanisë “Dia Vita” të Spitalit Amerikan të Klodian Allajbeut. Ky shërbim ofrohet në vetëm pesë qytete të Shqipërisë dhe mbulon vetëm 25% të pacientëve kronikë, duke detyruar mijëra të sëmurë të udhëtojnë drejt Tiranës për trajtim, shpesh me kosto vetjake për transportin.
Nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi mënyrën se si u përzgjodh ky spital, mbi kriteret, kushtet financiare apo mbi numrin e pacientëve që do të trajtohen. Nëse koncesioni i ëahtë hequr Allajbeut dhe i është dhënë Pecinit, apo thjesht ky i fundit ka marrë një kontratë shtesë të dyshimtë për ofrimin e këtij shërbimi.
Rasti ngre akoma edhe më shumë dyshime kur Olti Pecini i “Salus-Tirana” Olti Peçini, është emër i njohur nga skandali i koncesionit “Rapiscan” për pajisjet e skanimit në Portin e Durrësit.
Peçini bleu 49% të koncesionit 210 milionë dollarësh për vetëm 500 lekë. Skandali financiar me përmasa ndërkombëtare u zbulua përmes një investigimi të realizuar nga analistët amerikanë të “Muddy Waters”.
Sipas dokumenteve zyrtare të QKR-së, Peçini është aksioneri i vetëm i kompanisë ICMS, e cila ka marrë pjesë në marrëveshjen me kompaninë “Rapiscan” një emër i njohur ndërkombëtarisht në sektorin e sigurisë. Për më tepër, ICMS rezulton e ngarkuar me barrë siguruese nga Banka Kombëtare Tregtare, duke mos pasur as të drejtën ligjore për të transferuar aksione. Pavarësisht kësaj, transferimi është realizuar, ndërsa autoritetet shqiptare deklarojnë se janë të pafuqishme për të vepruar.
Hetimi i “Muddy Waters” zbardh më tej se koncesioni në Shqipëri ishte dhënë fillimisht kompanisë amerikane “OSI Systems”, e cila operon përmes degës së saj “S2 Global”.
Pas marrjes së kontratës, “S2 Albania” kompania e regjistruar në vend i transferon 49% të aksioneve kompanisë ICMS të mjekut Peçini. Gazetari amerikan që ndjek çështjen thekson se vlera reale e këtij transaksioni nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë, ndërsa pasqyrat financiare nuk reflektojnë strukturën reale të pronësisë.
REAGIMI
Spitali "Salus Tirana" sh.a. dëshiron të bëjë një deklaratë për të sqaruar opinionin publik në lidhje me disa informacione të pasakta për shërbimin e Hemodializës.
Spitali ynë operon në përputhje të plotë me legjislacionin aktual të Republikës së Shqipërisë dhe ofron shërbime të Hemodializës me standardet më të larta shëndetësore. Kemi një marrëveshje aktive dhe transparente me Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor për dhënien e shërbimit të dializës për pacientët shqiptarë. Kjo marrëveshje nuk është një kontratë detyruese ose koncesion, por vetëm një marrëveshje e lirë, siç operojnë edhe operatorë të tjerë privatë në Republikën e Shqipërisë, për të mundësuar këtë shërbim pacientëve sipas ligjeve të Shtetit Shqiptar.
Publikime të tilla jo vetëm që dëmtojnë reputacionin tonë institucional, por thyejnë gjithashtu besimin e pacientëve dhe shkelin parimet bazë të etikës dhe së drejtës së informimit.
Ftojmë median dhe publikun të drejtohen te burimet zyrtare institucionale për verifikimin e çdo informacioni.
Me respekt, Drejtoria e Spitalit "Salus Tirana" sh.a.