4 ditë nën dhé! Gërmimet për Arditin shumë të vonuara

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 06.05.2025, 13:48

Sot bëhen katër ditë nga ngjarja tragjike që goditi Qafën e Burrelit, ku të shtunën e 3 majit, një masiv minerar ra mbi 29-vjeçain Ardit Beshiri, i cili ishte në punë për të mbajtur familjen. Që prej asaj dite, askush nuk e ka parë më Arditin. Ai ndodhet ende nën rrënoja, ndërsa shpresa për ta gjetur të gjallë nuk është shuar.

Një ditë më parë, babai i tij, Nerim Beshiri, mes dhimbjes doli publikisht me një thirrje prekëse ndaj institucioneve shtetërore, për të reaguar dhe dërguar në vendin e ngjarjes mjete të sofistikuara teknologjike, të cilat do të ndihmonin në gjetjen më shpejt të Arditit.

Por përballë kësaj thirrjeje, institucionet duket se janë përgjigjur me indiferencë, teksa të shumtë kanë qenë qytetarët që kanë shprehur keqardhjen nëpërmjet rrjeteve sociale.

JOQ Albania mëson se deri tani është gjetur vetëm eskavatori me të cilin Arditi punonte. Ai vetë nuk është lokalizuar ende. E megjithatë, në atë vend të thepisur, të vetmit që vazhdojnë të kërkojnë çdo ditë janë babai, të afërmit dhe një grup i vogël prej rreth 10 ushtarësh. Kërkimet janë të ngadalta, të kufizuara dhe mbi të gjitha jo në nivelin që kërkon një situatë kaq dramatike.

Dhimbja e kësaj familjeje nuk duhet të mbetet vetëm një titull lajmi. Apeli i një babai nuk duhet të përmbyllet me një koment në Facebook. Është detyrim moral dhe njerëzor që kërkimet të intensifikohen dhe shteti të tregojë se jeta e një punëtori nuk është pa vlerë.

Apeli shkon për të gjitha kompanitë e zonës që kanë mjete më të sofistikuara gërmimi, që të solidarizohen me familjarët e Arditit, dhe në këtë situatë ku institucionet i kanë braktisur, t’u gjenden pranë qoftë edhe me një ndihmë sado të vogël.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit