Një kliente e rregullt e Big Market në qendrën tregtare City Park është përballur me një përvojë të papranueshme dhe të rrezikshme për shëndetin.
Mes blerjeve për familjen, ajo ka marrë edhe 30 kokrra vezë, të cilat rezultuan të gjitha të prishura dhe me erë të keqe menjëherë pas hapjes.
Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore dhe kontrollin e cilësisë në këtë rrjet tregtar.
Konsumatorja ka shprehur indinjatën e saj për mungesën e përgjegjësisë dhe neglizhencën e tregut ndaj standardeve bazë të ruajtjes së produkteve ushqimore.
“Ku po shkojmë kështu? Askush nuk mban përgjegjësi.”
Ky incident ngre pyetje për rolin e autoriteteve përgjegjëse, si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), në monitorimin dhe kontrollin e cilësisë së produkteve që tregtohen çdo ditë për konsumatorin shqiptar.
Institucionet përkatëse duhet të ndërhyjnë urgjentisht për hetimin e rastit dhe marrjen e masave ndaj subjektit në fjalë, për të shmangur përsëritjen e rasteve të ngjashme dhe për të mbrojtur shëndetin publik.