Mjekët po paralajmërojnë për rritjen shqetësuese të rasteve me kancer në fyt, të cilin e cilësojnë tashmë si një “epidemi” në vendet perëndimore. Sipas të dhënave, mbi 54 mijë amerikanë pritet të diagnostikohen me kancer oral ose në pjesën e pasme të fytit.
Ekspertët theksojnë se seksi oral po kthehet në shkakun kryesor të kancerit të fytit, duke lënë pas edhe duhanin dhe alkoolin si faktorë kryesorë rreziku.
HPV është një nga infeksionet seksualisht të transmetueshme më të përhapura dhe mund të çojë në shfaqjen e lythave gjenitalë apo edhe të kancerit.
Dr. Hisham Mehanna nga Universiteti i Birmingham-it në Britani, thotë se rastet me kancer në fyt janë rritur ndjeshëm në dy dekadat e fundit, kryesisht për shkak të seksit oral të pambrojtur me shumë partnerë.
“Personat që kanë pasur 6 ose më shumë partnerë për seks oral janë 8.5 herë më të rrezikuar për të zhvilluar kancer në fyt”, thekson ai.
Sipas mjekëve, edhe duhani, alkooli i tepërt, GERD (refluksi gastroezofageal) dhe ekspozimi ndaj substancave toksike në punë janë faktorë shtesë që rrisin rrezikun.
Për të ulur rrezikun nga kanceri në fyt, mjekët këshillojnë të kufizoni numrin e partnerëve seksualë, të përdorni mbrojtje gjatë marrëdhënieve, të mos pini duhan, të kufizoni alkoolin dhe të ushqeheni shëndetshëm. Gjithashtu, rekomandohet vaksinimi kundër HPV, i cili është mbi 80% efektiv.