Një apel prekës për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Bëhet fjalë për zonjën Eftali Qosja, 80 vjeçe, e cila jeton e vetme pranë kryqëzimit të “21-shit”, te pallatet e vjetra ku ndodhet Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial. Ajo nuk ka asnjë njeri që kujdeset për të dhe ndodhet në një gjendje tejet të rënduar shëndetësore dhe jetese.
E moshuara është diagnostikuar me kancer gjiri dhe tiroideje dhe prej dy ditësh ka pasur gjakderdhje të mëdha, ndërkohë që askush nuk ka qenë pranë saj për ta ndihmuar. Në videon e mbërritur në redaksi, dëgjohet zëri i saj i drobitur teksa tregon me dhimbje gjurmët e gjakut në veshjen e saj dhe në dysheme.
Mesazhi i qytetares që ka dërguar videon është i qartë dhe i dhimbshëm:
"Ju lutem, publikojeni këtë rast në mënyrë anonime. Kjo zonjë e moshuar jeton e vetme, pa asnjë njeri, në gjendje të mjerueshme. Ka pasur gjakderdhje të mëdha sot dhe dje. Nuk ka kush ta ndihmojë. Ju lutem, ta ndihmojmë së bashku. Ajo ka nevojë për kujdes spitalor. Po vuan shumë dhe është lënë në mëshirë të fatit. Ecën me vështirësi dhe nuk ka asnjë pranë."
Për këdo që dëshiron dhe ka mundësi për ta ndihmuar nënë Eftalinë, mund ta kontaktojë atë në numrin e saj të telefonit: Eftali Qosja – +355 68 264 4716
Nëse dikush mund të ndihmojë me kujdes shëndetësor, transport drejt një spitali, apo ndihmë njerëzore të çfarëdolloji, ju lutemi reagoni sa më parë. Është një rast urgjent që nuk mund të presë.