Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se ofensiva e re kundër Hamasit do të jetë “intensive” dhe mund të përfshijë pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, si dhe kontrollin e shpërndarjes së ndihmave humanitare.
Sipas raportimeve nga media publike izraelite "Kan", plani i ri do të zbatohet me faza dhe mund të zgjasë disa muaj. Forcat izraelite kanë marrë tashmë kontrollin e rreth një të tretës së territorit të Gazës dhe kanë ndërtuar zona sigurie, ndërsa pritet që të zgjerojnë më tej fushatën ushtarake.
Një zyrtar izraelit konfirmoi se ofensiva synon të pushtojë të gjithë Gazën, të zhvendosë civilët drejt jugut dhe të ndalojë që ndihmat të bien në duart e Hamasit. Ndihmat do të shpërndahen nga kompani private në qytetin Rafah.
Netanyahu tha se trupat izraelite nuk do të kufizohen më me sulme të shpejta, por do të qëndrojnë në terrenet e pushtuara. Ai shtoi se zhvendosja e civilëve bëhet “për sigurinë e tyre”.
Ndërkohë, Hamas e ka quajtur këtë presion dhe shantazh, duke kërkuar një marrëveshje të plotë që përfshin: armëpushim të përgjithshëm, tërheqje totale të Izraelit, rindërtimin e Gazës dhe lirimin e të burgosurve nga të dyja palët.
Pavarësisht dëshirës së popullsisë izraelite për një marrëveshje për kthimin e 59 pengjeve që ende mbahen nga Hamasi, qeveria po përgatit një mobilizim masiv të rezervistëve për të zgjeruar operacionin.
Sipas OKB-së, bllokada e ndihmave ka çuar Gazën në prag të urisë, ndërsa mbi 52,000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës, shumica civilë. Nga ana tjetër, sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 shkaktoi 1200 viktima në Izrael dhe rrëmbimin e 251 pengjeve.