Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në dalje të qytetit të Peshkopisë, në kryqëzimin “Velia”, rreth orës 18:30. Një automjet tip “Golf”, i drejtuar nga 27-vjeçari Alban Shoti, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një berberhane, duke përfunduar brenda ambienteve të saj.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë punonjësi i policisë Veli Gjura, i cili ndodhej në detyrë, dhe një ndihmës berber, që ndodhej në ambientet e biznesit në momentin e ngjarjes. Gjendja shëndetësore e efektivit të policisë raportohet të jetë shumë e rëndë.
Polici ishte në shërbim për mbarëvajtjen e trafikut në kuadër të mitingut përmbyllës të opozitës, i cili pritej të mbahej në orën 19:00 nga kryetari Sali Berisha në Peshkopi.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, drejtuesi i mjetit dyshohet se ishte nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit. Ai është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.