Kanë kaluar tashmë tre ditë që nga tragjedia në Qafën e Burrelit, ku 29-vjeçari Ardit Beshiri mbeti i bllokuar nën një masiv kromi, por kërkimet për trupin e tij vazhdojnë pa rezultat.
Dhimbja dhe ankthi rriten me çdo orë që kalon, ndërsa babai i tij, Nerim Beshiri, i rrënuar nga dëshpërimi, ka bërë një tjetër thirrje publike drejtuar institucioneve shtetërore, duke kërkuar me ngulm ndihmë.
“Kërkoj ndihmë nga shteti, t’i gjej vetëm njërin gisht e ta çoj te shtëpia, te familja. Bëj thirrje që të më sjellin aparatura, skaner, qen të specializuar nga jashtë, të gjej djalin ta çoj te shtëpia të di ku të vendos një tufë lule. Ka 3 ditë që vij me vëllezërit duke kërkuar me lopatë,” shprehet ai me lot në sy.
Deri më tani, kërkimet janë kryer vetëm nga të afërmit dhe familjarët e të riut. Ndërkohë, kompania kineze që menaxhon minierën, sipas babait të Arditit, është distancuar plotësisht nga përgjegjësia dhe nuk ka ofruar asnjë ndihmë në operacionet e kërkimit.
Ky është një moment që kërkon ndërhyrje urgjente nga shteti. Jo vetëm për të gjetur trupin e Arditit, por për të parandaluar edhe një tragjedi tjetër, pasi dhera të tjerë mund të rrëshqasin në çdo moment duke zënë poshtë personat që po gërmojnë me mjete rrethanore.
Zëri i një babai të rrënuar duhet të dëgjohet. Drejtësia dhe dinjiteti i humbur nuk mund të mbesin nën dhe!