Kryetari në burg, mbeturinat po i afrohen godinës së bashkisë në Tiranë

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 05.05.2025, 11:35

Në një kohë kur Erion Veliaj po qëndron në paraburgim prej gati tre muajsh për abuzim me detyrën, Tirana vazhdon të përballet me krizën e vjetër të menaxhimit të mbeturinave.

Problemi nuk kufizohet më vetëm në periferi, por tashmë plehrat po pushtojnë edhe lagjet kryesore të kryeqytetit, duke iu afruar gradualisht godinës së bashkisë në qendër të qytetit.

Një qytetar denoncon situatën në rrugën “Myslym Shyri”, një nga lagjet më të vjetra dhe të njohura të Tiranës, duke treguar se prej ditësh mbeturinat kanë mbuluar lagjen. Teksa komenton pamjet që ka dërguar në redaksi, qytetari thotë: ““O bashkia, ça bëhet kështu? Në mes të Myslym Shyrit, te BKT-ja, mund të tuneli, një ndër lagjet më të njohura të Tiranës, shiko si është bërë.”

Ndërkohë landfilli i Sharrës, aty ku duhet të ishte ndërtuar inceneratori për përpunimin e mbetjeve, është tejmbushur prej muajsh duke arritur kufijtë e kapacitetit. Kohët e fundit janë përfolur alternativa për një vend të ri për depozitimin e plehrave, por deri më tani mungon një zgjidhje konkrete.

Përballë kësaj gjendjeje, qytetarët duket se janë të “dënuar” që me temperaturat që po rriten dita-ditës, të jetojnë mes mbeturinave, pa asnjë reagim nga institucionet.

“Kryetari ne burg, Tirana permbytet nga mbeturinat”, shkruan qytetari ndër të tjera.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit