Furgoni i Policisë së Shtetit lëviz natën pa sinjal dhe pa dritat e pasme: Burim aksidenti 100%!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.05.2025, 23:52

Një video shqetësuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar që udhëtonte në aksin Lezhë–Shkodër.

Në pamje shfaqet një furgon i Policisë së Shtetit, me targa MB 610 AA, duke qarkulluar mbrëmjen e sotme në autostradë pa asnjë dritë të ndezur në pjesën e pasme dhe pa sinjalizim aktiv, në një kohë kur dukshmëria është e ulët dhe rreziku për aksidente është ekstremisht i lartë.

"Policia e shtetit lëviz në autostradën Lezhë–Shkodër, asnjë llambë mbrapa nuk i ndizet, burim aksidenti 100%", shkruan qytetari i indinjuar që ka regjistruar videon.

Ky rast është alarmant jo vetëm sepse shkel ligjin, por sepse buron nga vetë institucioni që ka për detyrë të garantojë rendin dhe sigurinë rrugore. Kur një automjet civil lëviz pa ndriçim të pasëm, rrezikon gjoba dhe ndëshkime sipas Kodit Rrugor; por kur këtë e bën një automjet policie, rreziku shumëfishohet dhe besimi i qytetarëve në rregull e drejtësi bie.

Sipas Kodit Rrugor, çdo automjet është i detyruar të ketë dritat e pasme të pozicionit funksionale gjatë natës dhe në kushte me dukshmëri të ulët. Shkelja e kësaj norme konsiderohet burim aksidenti dhe ndëshkohet me gjobë, madje edhe me pezullim të lejedrejtimit në raste përsëritjeje.

Në këtë rast, kemi të bëjmë me një mjet shtetëror, të Policisë së Shtetit, që lëviz në mënyrë të papërgjegjshme, duke u kthyer në një rrezik potencial për jetën e qytetarëve në rrugë. Kjo situatë kërkon reagim urgjent nga autoritetet përkatëse dhe hetim të menjëhershëm, sepse një institucion që nuk zbaton vetë ligjin, nuk mund ta kërkojë atë nga qytetarët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit