“Parajsa” e Bunecit nis me ferrin e rrugës: Është lënë në harresë nga pushteti, një në tre makina del e dëmtuar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 04.05.2025, 21:26

Vetëm një ditë pasi në Himarë u çel zyrtarisht sezoni turistik me muzikë, fishekzjarre dhe fjalime entuziaste për “mirëseardhjen e turistëve”, një qytetare ka dërguar një video që tregon realitetin e hidhur dhe të përditshëm me të cilin përballen banorët dhe vizitorët e zonës: gjendjen skandaloze të rrugës që të çon në plazhin e Bunecit, një nga plazhet më të bukura dhe më të frekuentuara në Jug.

Pamjet flasin vetë, por qytetarja ka shoqëruar videon me këtë mesazh plot revoltë dhe zhgënjim:

“Përshëndetje JOQ! Ju lutem publikojeni këtë video, jemi qytetarë të Bashkisë Himarë! Kur përmendim Bunecin mendja na shkon te gjithëve te një parajsë më vete, po me një rrugë skandal! Si mund të na lënë kështu në harresë, paguajmë të gjitha taksat që na përkasin në Bashkinë e Himarës si drita, gjelbërim dhe pastrim, që asnjërën nga këto nuk e marrim. Hedhim një thes me lek për të marrë plazhin, po rruga është shqetësimi më i madh që kemi, nuk kërkojmë asgjë, vetëm rrugë, se 1 në 3 makina del e dëmtuar nga Buneci! Faleminderit!!”

Ndërsa autoritetet festuan çeljen e sezonit të ri turistik, qytetarët përballen me rrugë të pashtruara, mungesë investimesh dhe harresë të plotë. Turizmi nuk ndërtohet me fishekzjarre, por me punë konkrete dhe respekt për banorët e zonës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit