24-vjeçari në Laç u vra gjatë takimit “sqarues” për gërvishtjen e makinave

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.05.2025, 14:35

Hetimet e zhvilluara për ngjarjen tragjike që ndodhi një ditë më parë në Laç kanë nxjerrë në pah detaje të reja mbi konfliktin që çoi në përdorimin e armëve.

Sipas raportimeve, ngjarja ka përfshirë dy grupe të rinjsh që kanë pasur një konflikt verbal për shkak të prekjes së pasqyrave të makinave.

Në përpjekje për të sqaruar situatën, dy grupet kanë vendosur të takohen pak më vonë në një rrugë të Laçit, ku konflikti verbal është agravuar dhe ka kaluar në përdorimin e armëve.

Pas ndalimit të makinave, Klevis Ndreca ka qëlluar me armë në drejtim të grupit tjetër, ndërsa Daniel Gjeloshi është kundërpërgjigjur me armë zjarri. Ndreca ka qëlluar me pistoletë drejt tre të rinjve të tjerë, duke i lënë ata të plagosur, ndërkohë që Gerald Bitri, njëri prej tyre, ka ndërruar jetë në spital më pas.

Një tjetër person, Amarildo Ndoj, ka mbetur i plagosur aksidentalisht gjatë përleshjes, po ashtu edhe një shitëse ambulante që ndodhej në zonën e ngjarjes.

Gjeloshi, i cili po ashtu kishte një pistoletë, ka qëlluar gjithashtu, por nuk ka plagosur askënd. Armën e tij, e cila u gjet pak metra larg vendit të ngjarjes, e ka dorëzuar policia më pas.

Klevis Ndreca është vetëdorëzuar në polici pas ngjarjes dhe ka dorëzuar armën e krimit. Në dëshminë e tij paraprake, ai ka deklaruar se ka qëlluar me armë pasi ka pasur frikë se kishte parë që të rinjtë tjerë kishin armë dhe kishin ndërmend ta godisnin.

Hetimet janë ende në vazhdim për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të zbardhur motivet e këtij konflikti tragjik që ka përfunduar me viktima dhe të plagosur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit