Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 13:30 pranë ish-Gjykatës së Kurbinit, ku si pasojë e një konflikti të çastit, janë plagosur pesë persona me armë zjarri.
Të plagosurit janë identifikuar si Liridon Ismalaj, Amarildo Ndoci, Danjel Gjeloshi, Geraldo Keberi dhe Angjelina Gjezaj – kjo e fundit një grua që ndodhej në vendin e ngjarjes duke shitur qirinj. Të pesë personat janë transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Mësohet se një prej të plagosurve është në gjendje të rëndë dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Sipas burimeve paraprake, ngjarja ka nisur nga një sherr mes disa të rinjve, ku më pas njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri drejt një automjeti në të cilin ndodheshin katër persona.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Policisë, të cilat kanë shoqëruar disa persona për verifikim. Në ndihmë të Policisë Vendore kanë mbërritur edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë – Njësia Shkodër.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Sipas Policisë, autori që ka qëlluar është tashmë i identifikuar dhe po vijon puna për kapjen e tij.