Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur gjashtë ditë më parë në qytetin e Vlorës, ku Renato Hoxhaj, roja i një pallati mbeti i vrarë si pasojë e një atentati.
Policia e Vlorës ka dyshime se Hoxhaj është qëlluar nga dy armë të ndryshme, pasi në trupin e viktimës janë gjetur plumba të ndryshëm të qitura nga dy armë të ndryshme. Deri më tani hetimi ka zbardhur vetëm një autor referuar edhe kamerave të sigurisë.
Burimet thonë se agresori ende i paidentifikuar ka lëvizur me një makinë që sipas hetuesve është vënë në dispozicion nga i ndaluari i vetëm Eris Mehmetaj. Automjeti tip Range Rover sport është pikasur para dhe pas krimit dhe më pas ka humbur çdo gjurmë që mund të çojë në gjetjen e tij.
Nga verifikimet e kryera është provuar se ky mjet është blerë në Tiranë rreth 3 javë para krimit të rëndë. Pavarësisht pretendimeve Eris Mehmetaj vijon ti qëndrojë faktit se nuk ka lidhje me vrasjen e ndodhur në qytetin e Vlorës.
Por grupi i punës ka ngritur dyshime të forta se realizimi i vrasjes së Renato Hoxhaj pavarësisht se nuk kishte asnjë precedent penal është kryer në kuadër të grupit kriminal.