Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Massafra në provincën e Tarantos në Itali, ku një vajzë 14-vjeçare me origjinë shqiptare ka ndërruar jetë tragjikisht ditën e sotme, pasi dyshohet se është vetëhedhur nga dritarja e katit të tretë të banesës ku jetonte me familjen.
Sipas mediave italiane, në momentin e ngjarjes ka qenë e pranishme edhe nëna e saj, e cila e ka parë të bijën të hidhej, por pa pasur mundësi të reagojë.
Ajo ka deklaruar për autoritetet:"U hodh vetë, nuk e dimë pse."
Ndihma mjekësore mbërriti menjëherë dhe personeli i urgjencës bëri gjithçka për ta mbajtur në jetë, përfshirë dhe transportin e menjëhershëm drejt spitalit “Santissima Annunziata” në Taranto. Fatkeqësisht, ajo ndërroi jetë pak minuta pasi mbërriti në spital.
Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të sqaruar tërësisht rrethanat e vdekjes. Ndërkohë, hetimet janë marrë përsipër nga karabinierët e Massafras, nën drejtimin e prokurorit Mariano Buccoliero.
Gjithashtu, autoritetet kanë sekuestruar celularin e vajzës, me shpresën se do të gjejnë ndonjë shënim, mesazh apo sinjal që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
E mitura me origjinë shqiptare ishte nxënëse në një shkollë të zonës dhe, sipas mediave italiane, nuk kishte dhënë ndonjë shenjë shqetësimi apo probleme të dukshme që mund të paralajmëronin aktin ekstrem që ajo dyshohet se ndërmori.