Makthi i kokrrës së fundit! Pacientët me Hepatit B pa mjekim, në mëshirën e depove farmaceutike

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 02.05.2025, 18:27

Qytetari denoncon: "Nuk po gjejmë më ilaçet që na mbanin gjallë. Shteti të ndërhyjë!"

Një qytetar ka denoncuar për JOQ ALBANIA një situatë të rëndë dhe alarmante që po prek pacientët me Hepatit B në vendin tonë. Sipas denoncimit, prej më shumë se një viti është ndërprerë shpërndarja e medikamenteve të lira turke si Tenoviral dhe Hiverac, të cilat më parë jepeshin falas ose me kosto të ulët në farmacitë e spitaleve publike.

Me ndryshimin e politikës shpërndarëse, mjekimet u kaluan për t’u blerë në tregun e hapur përmes farmacive private. Por pacientët raportojnë se medikamentet alternative më të përballueshme nuk gjenden më askund – as në farmaci private, as në depot farmaceutike.

"Kam një muaj që kërkoj në dhjetëra farmaci dhe depo. Përgjigjja është gjithmonë e njëjtë: nuk ka. Dyshoj se kjo mungesë është e qëllimshme. Po na detyrojnë të blejmë ilaçin anglez Viread, i cili kushton 250 mijë lekë të vjetra në muaj – një shumë e papërballueshme për shumë prej nesh," – thotë qytetari në një mesazh të dërguar redaksisë.

Ai shprehet i shqetësuar se ky është një bashkëpunim i heshtur dhe i dëmshëm mes depove farmaceutike, të cilat, sipas tij, kanë rënë dakord të mos e shpërndajnë më ilaçin e lirë, për të nxitur blerjen e versionit shumë më të shtrenjtë. Ndërkohë, pacientët që varen nga këto medikamente kanë mbetur pa trajtim dhe të pambrojtur, duke përjetuar stres të madh për shëndetin e tyre.

"Na kanë lënë në mëshirën e fatit. Kjo është kriminale! Shteti duhet të ndërhyjë menjëherë – ose të rikthejë shpërndarjen në farmacitë e veta, ose të detyrojë farmacitë private të sigurojnë të gjitha alternativat, për të respektuar shëndetin e çdo pacienti."

Qytetari thekson se kjo nuk është hera e parë që ngre alarmin, pasi rasti është denoncuar edhe disa muaj më parë, por nuk është marrë asnjë masë konkrete deri tani. Ai i bën thirrje, në emër të të gjithë të prekurve nga ky shqetësim, institucioneve shtetërore, Ministrisë së Shëndetësisë dhe strukturave të kontrollit farmaceutik që të hetojnë menjëherë këtë situatë dhe të veprojnë për të mbrojtur jetën e pacientëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit