Policia ka reaguar pas publikimit të një video nga JOQ Albania, ku tiktokerja Genta Gjalpi shfaqet duke keqtrajtuar vajzën e mitur të bashkëshortit të saj brenda një supermarketi në Tiranë. Gjalpi është proceduar penalisht në gjendje të lirë, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.
Në pamjet e bëra publike, ajo shihet duke kapur vajzën nga flokët dhe më pas duke e tërhequr me forcë jashtë supermarketit. Videoja ka shkaktuar reagime të forta nga qytetarët në rrjetet sociale, përfshirë edhe nënën biologjike të vajzës, e cila ka shprehur tronditjen dhe ka kërkuar që autorja të përballet me drejtësinë.
“Unë jam nëna e fëmijës në video dhe më dridhen duart nga ajo çfarë po shoh. Ky njeri që ngre dorë mbi vajzën time, të cilën e kam lënë në mirëbesim të atit, do të përballet me ligjin,” ka shkruar ajo në një koment publik.
Gjalpi krijon shpresh lajm në mediat rozë lidhur me jetën e saj personale dhe fotot e ndryshme që publikon në rrjetet sociale, për këtë herë ajo ka marrë një lumë kritikash për veprimet e papërgjegjshme që ka kryer.
Njoftimi i Policisë:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen G. Gj., 35 vjeçe, pasi në një video të publikuar në një portal, duket se kryen veprime të dhunshme, kundrejt vajzës së mitur të bashkëjetuesit të saj. Po kryhen veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.”