Edmond Arra, 35 vjeç, një shqiptar i dënuar në Itali me mbi 10 vjet burg për 13 vepra të rënda penale, po lufton ekstradimin nga Mbretëria e Bashkuar ku është ndaluar që prej marsit 2023. Ai pretendon se kushtet në burgjet italiane përbëjnë shkelje të Nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues.
Gjykata britanike në janar hodhi poshtë përpjekjen e tij fillestare, por ai ka apeluar në Gjykatën e Lartë. Arra gjithashtu thotë se do t’i shkelen të drejtat familjare sipas Nenit 8 të Konventës, pasi do të ndahet nga partnerja e tij rumune.
Autoritetet italiane kanë propozuar transferimin e tij në burgjet e Vicenzës ose Padovës, që nuk janë ndër më të mbingarkuarit në vend. Sipas të dhënave, Italia ka një mesatare mbipopullimi prej 131%, ndërsa Britania vuan gjithashtu nga mbingarkesa e burgjeve.
Arra u arratis nga Italia në 2018 ndërkohë që ishte në arrest shtëpie, dhe u arrestua në Londër në mars 2023. Ai thotë se është detyruar të kryejë krimet nën kërcënim dhe se që nga viti 2012 nuk ka kryer vepra të tjera penale.