Një biznes në qytetin e Durrësit është grabitur nga një person ende i paidentifikuar, i cili është futur brenda ambientit dhe ka arritur të marrë një shumë parash.
Nga pamjet filmike që redaksia jonë ka siguruar, shihet një person i veshur me rroba të kuqe që hyn në dyqan dhe afrohet drejt banakut. Teksa mban një cigare në dorë, ai përkulet mbi banak dhe pas disa përpjekjesh, arrin të hapë arkën dhe të marrë prej andej rreth 300 mijë lekë të vjetra.
Denoncuesi që ka dërguar pamjet kërkon që rasti të bëhet publik, me qëllim që pronarët e tjerë të bizneseve të jenë më të kujdesshëm ndaj grabitësit, i cili mund të synojë edhe subjekte të tjera.
Mesazhi i denoncuesit:
“Nje video e nje hajduti ne Durrës qe vjedh dyqanet. Ka marre diku 300 mije te vjetra, po nuk esht problemi i lekut. Te ken kujdes nga personi ne video. Ai sa te gjente do merrte.”
Dyshohet se ky nuk është rasti i parë i vjedhjes nga ky individ, ndaj kërkohet një reagim i menjëhershëm nga autoritetet për të parandaluar vjedhje të tjera të ngjashme në të ardhmen.