Dhjetëra punonjës të kompanisë "Bankers Petroleum"u mblodhën mesditën e sotme me pankarta në duar, në një protestë të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur,para zyrave të kompanisë në Marinzë në orarin e pushimit.
Kryetari i Sindikatës Dritan Shahu i bëri thirrje shoqërisë "Bankers" dhe drejtuesit të saj Hong Ping, që të ndalojnë së injoruari zërin e punonjësve dhe u ndal në disa kërkesa kryesore si: ndalimin e intimidimit dhe presionit psikologjik ndaj punonjësve, ndalimin e diskriminimit dhe pabarazisë në trajtim dhe përfitime, ndalimin e nepotizmit dhe emërimeve klienteliste, aplikimin e statusit të naftëtarit, të dietës ushqimore etj.
"Ne nuk kërkojmë lëmoshë, por drejtësi sociale, pasi në kaq vite jemi grabitur", tha sekretari i Sindikatës të sektorit hidrokarbur, dega Fier, Dritan Rrapushi. Nga ana tjetër, punëtorët u shprehën se kanë vite që nëpërkëmben në kompani.
Gjithashtu, organizatorët pohuan se, nëse zëri i punonjësve nuk do të dëgjohet, atëherë, protestat do të përshkallëzohen.