Në një kohë kur besimi ndaj institucioneve shpesh vjen duke u zbehur dhe lajmet negative mbushin titujt e përditshëm, një moment i kapur në rrugët e Vlorës na rikthen shpresën dhe kujton se brenda uniformave të policisë ka ende njerëz me zemër.
Një qytetar ka ndarë një moment të veçantë ku një efektiv i njësisë speciale “Shqiponjat” ndihmon një të moshuar të kalojë rrugën tek vijat e bardha. I moshuari, me hapa të ngadaltë dhe të pasigurt, shoqërohet nga polici në mënyrë të kujdesshme, mes trafikut të makinave që lëviznin përreth. Gjesti i thjeshtë, por plot dinjitet, është përshëndetur nga dhjetëra qytetarë që e kanë parë nga afër.
“Ka edhe punonjës policie të tillë në Vlorë – një efektiv i Shqiponjave shoqëronte një të moshuar për të kaluar rrugën. Ia vlen të vlerësohen këto veprime”, shkruan qytetari që e dërgoi videon.
Kujdesi për më të dobëtit, sidomos për të moshuarit, është një nga treguesit më të qartë të një shoqërie të qytetëruar. Dhe kur ky kujdes vjen nga një përfaqësues i shtetit, mes detyrës dhe presionit të përditshëm, është dy herë më i çmuar.
Ky moment i vogël, por i madh në domethënie, është një shembull që duhet ndjekur, vlerësuar dhe promovuar. Një kujtesë se përtej statistikave, kritika dhe skandaleve, janë edhe këta njerëz që e nderojnë uniformën dhe shërbejnë me humanizëm të vërtetë.