Këshilli Bashkiak i Durrësit miraton prerjen e 8 mijë m² pyll për resort

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 01.05.2025, 18:40

Në një mbledhje të zhvilluar mesditën e së mërkurës, raportohet nga mediat se Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi me 31 vota pro projektvendimin që i hap rrugë ndërtimit të një resorti të ri në Gjirin e Lalzit, duke ndryshuar kategorinë e 8,000 metrave katrorë pyll në zonë. Vendimi u mor pavarësisht shqetësimeve për shkatërrimin e gjelbërimit në një prej zonave më të lakmuara bregdetare të vendit.

Në votim, këshilltarët e Partisë së Lirisë u rreshtuan përkrah këshilltarëve të majtë, duke siguruar shumicën për kalimin e projektit. Nga ana tjetër, vetëm tre këshilltarë të djathtë ishin të pranishëm dhe votuan kundër.

Ndërtimi i resortit “Lura 5”, pjesë e një zinxhiri kompleksesh luksoze në të njëjtën zonë, ishte miratuar më herët nga Këshilli Kombëtar i Territorit, duke e bërë këtë vendim të Këshillit Bashkiak një hap final drejt betonizimit të mëtejshëm të bregdetit.

Pavarësisht se disa këshilltarë opozitarë paralajmëruan për pasojat mjedisore dhe reduktimin e hapësirave të gjelbra, shumica zgjodhi të vendosë interesin ekonomik përpara atij ekologjik. “Nuk jemi kundër zhvillimit, por bregdeti i Durrësit është betonizuar – edhe një resort më shumë është edhe më pak gjelbërim”, u shprehën ata.

Argumenti i zakonshëm për “zhvillimin e turizmit” dhe “krijimin e vendeve të punës” u përdor sërish nga përfaqësuesit e majtë për të justifikuar vendimin. Megjithatë, qytetarët dhe aktivistët mjedisorë paralajmërojnë se ky është vetëm kapitulli i radhës në shkatërrimin sistematik të bregdetit shqiptar në emër të interesave private.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit